1 Tetori Dita Botërore e Moshës së Tretë, problemet sociale dhe shëndetësore të tyre

 “Të moshuarit do t’u mësojnë se vdekja nuk vjen nga mosha por nga harresa”

Gabriel G. Markez

Plakja e popullsisë përbën problem për shoqërinë, një dukuri të rëndësishme jo vetëm demografike por edhe ekonomike, sociale dhe shëndetësore që në të ardhmen do të shoqërohet me problem gjithnjë e më të mprehta.

Moshimi  është  një fenomen global i cili po rritet me shpejtësi dhe po shkon paralelisht me urbanizimin. Sipas studimeve ne vitin 2050 pritet që 80% e të moshuarve të jetojnë në vendet më pak te zhvilluara.

Sipas INSTAT, më 1 Janar 2016 në Shqipëri kishte 2.886.020 banorë ose 6276 banorë më pak se një vit më parë. Ulja e lindshmërisë,emigracioni si dhe rritja e jetëgjatësisë ka bërë që të rritet numri i të moshuarve edhe në vëndin tonë.

Shekulli i kaluar tregon për një revolucion në jetëgjatsi. Sipas Bankës Botërore, jetëgjatsia në vendet e Europës Lindore është rritur me 20 vjet që nga viti 1950 dhe pritet që rritja të vijojë edhe me 10 vjet të tjera deri në vitin 2050.

Kjo rritje e popullsisë së moshuar do të jetë më e madhe në vendet me zhvillim, ku numri i të moshuarve pritet të katërfishohet në 50 vitet e ardhshme.

Sipas studimeve demografike në vitin 2030 me ritmin e ulët të lindshmërisë dhe emigrimin e të rinjve në vendin tonë 1/3 e popullsisë parashikohet të jetë mbi 65 vjec. Nga 3-4% të moshuar në vitin 1950 ka arritur aktualisht 16%. Edhe në vendet e zhvilluara të moshuarit janë shtresa më e abuzuar nga shoqëria dhe familja, fenomen ky që po vërehet edhe në vendin tonë.

Ndryshimi strukturës së familjes, largimi i të rinjve në emigracion, pakësimi i të ardhurave me daljen në pension etj. i shtojnë problemet sociale të moshuarve. Ato shpesh ndjehen të vetmuar e si pasojë izolohen nga shoqëria. Ankthi, frika dhe vetmia janë elementët predominues në moshën e tretë. Lajtmotivi që përcjell 1 Tetori është nevoja urgjente për t’u kujdesur ndaj të moshuarve që janë pjesë aktive e shoqërisë sonë në mënyrë që të mos ndjehen të braktisur. Në disa studime të kryera nga Shoqata Shqiptare e Geriartrisë dhe Gerontologjisë, rezulton që afërsisht 20-25% e të moshuarve jetojnë në vetmi, (çifte ose fare vetëm). Të moshuarit me shtimin e viteve ndeshen më shpesh me sëmundjet akute dhe kronike. Nga studimet e kryera në vendin tonë rezulton që 2/3 e të moshuare vuajnë nga një sëmundje kronike dhe 1/3 nga 2 ose më shumë sëmundje kronike. Vetmia, izolimi, mosvlerësimi i tyre për kontributet e dhëna kur ishin në moshën aktive, janë faktorë të rënësishëm të cilët ndikojnë në shëndetin mendor dhe fizik te tyre. Si pasojë e ndryshime biologjike dhe fiziologjike që ndodhin në organizmin e të moshuarve, edhe sëmundjet janë më të shpeshta, por ato edhe shfaqen në mënyrë atipikë, argument i cili kushtëzon diagnostikimin e hershëm të tyre. Të moshuarit zënë rreth 40% të shtretërve në spitale si dhe kanë konsumt të rreth 30-35% të medikamenteve në përgjithësi. Jo vetëm në vendin tonë, por kudo në botë janë shtresa më e margjinalizuar në shoqëri. Ata me daljen në pension  ndjehen të izoluar si rezultat humbin lidhjen me shoqërinë. Shpesh konsiderohen të paaftë nga shoqëria dhe abandonohen në njëfarë mënyre. Ata nuk duan të konsiderohen të paaftë, ata duan që të dëgjohen dhe të ndihen të nevojshëm për shoqërinë.

Pavarësisht përpjekjeve dhe arritjeve të rritjeve të fundit për të nxitur integrimin dhe për të reduktuar izolimin social, rezulton që pjesëmarrja e të moshuarve në shoqërinë civile dhe aktivitete të tjera komunitare është akoma e vogël (më pak se 10% tek meshkujt dhe 5% tek femrat). Prevalenca e sëmundjeve kronike, disabiliteti dhe humbja e autonomisë juanë në rritje në krahasim me vitet e tjera. Ndryshimi i strukturës së familjes, largimi i fëmijëve ka bërë që më shumë të moshuar të pësojnë rënie jo vetëm fizike por edhe mendore si pasojë e izolimit, vetmisë  dhe problemeve të ndryshme përfshirë edhe ato ekonomike.

Projekti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për zbulimin e hershëm të sëmndjeve tek të moshuarit si dhe hartimi i protokolleve në shërbim të mjekut të familjes për veçoritë e sëmundjeve tek të moshuarit, ka ndikuar pozitivisht në rujtjen e shëndetit të tyre. Sigurisht, këto dhe shërbimet e tjera sociale, si ngritja e qendrave ditore kanë ndikim pozitiv në shndetin e të moshuarve, por në stadin aktual numri i të moshuarve po rritet dhe del domosdoshmëri ngritja e shërbimit geriartrik, ku përfshihen qendrat e vlerësimit geriartrik (QVG), shërbimet sociale dhe shëndetësore në familje si dhe repartet geriartrike pranë qendrave spitalore. Prej vitesh ishte hartuar Plani Shëndetësor Kombëtar në ndihmë të të moshuarve, ku përfshihen ngritja dhe fuqizimi i institucioneve shëndetësore dhe sociale, organmizimi i shërbimeve në shtëpi, etj. Për realizimin e shërbimeve sociale geriartrike, është e nevojshme përfshirja në një grup pune e institucioneve shtetërore me përfaqësues të veçantë dhe plane të detajuara. Në grup pune ndërinstitucional ku të përfshihen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Financave nën drejtimin e Kryeministrisë, me një plan pune duke filluar nga pregatitja e personelit mjekësor dhe social, ngritjen e organizmave përkatëse të tillë si Qendra e Geriartisë më bazë lokale dhe qendrore, përfshirë edhe repartet geriartrike pranë qendrave spitalore. Kështu realizojmë atë objektiv që të moshuarve t’iu shtojmë jo vetëm vite por “jetë viteve”.

Dr. Reshat KOÇI

Kryetar i Shoqatës së Geriartrisë dhe Gerontologjisë