Sistemi i pensioneve në Shqipëri i ka përmbushur funksionet e tij themelore gjatë tranzicionit
dhe tani vuan nga disa probleme të mprehta që e bëjnë reformimin e tij të domosdoshëm. Së pari,
skema jep përfitime të ulëta për disa kategori dhe, ç’është më e rëndësishmja, përfitimet do
vazhdojnë të ulen edhe më shumë në rast se skema nuk reformohet. Së dyti, skema
karakterisohet nga elementë të theksuar padrejtësie sepse disa grupe kontribuesish përfitojnë
pensione shumë të larta dhe kontribojnë shumë më pak se të tjerët. Është e natyrshme që sistemet
e pensioneve të kenë një farë rishpërndarjeje tek më të varfërit apo kategoritë e tjera. Gjithsesi,
nëse rishpërndarja është shumë e lartë skema e pensioneve mund të konsiderohet e padrejtë dhe
pjesëmarrja në të nis e bie. Së treti, skema e pensioneve vuan nga një deficit i lartë që e bën atë
financiarisht të papërballueshme. Së katërti, ndonëse të gjithë të moshuarit janë të mbuluar nga
skema falë punësimit të plotë gjatë komunizmit, një pjesë e madhe e popullsisë në moshë pune
sot është e pa siguruar për shkak të papunësisë së lartë por edhe informalitetit. Kjo gjë e ka
përkeqësuar ndjeshëm raportin mes kontribuesve dhe përfituesve dhe lë të kuptohet se në të
ardhmen shumë të moshuar nuk do marrin fare pension pleqërie. Në këtë mënyrë, sistemi
shqiptar i pensioneve nuk është më në gjendje të barazpeshojë mjaftueshmërinë e përfitimeve me
përballueshmërinë e shpenzimeve. Duke parë rëndësinë që pensionet kanë për mbrojtjen sociale,
është e nevojshme që të ndërhyhet menjëherë për reformimin e sistemit.
Materiali i mëposhtem është hartuar në zbatim të urdhërit të Kryeministrit nr. 7, datë 17.01.2014,
“Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për bashkërendimin dhe mbikqyrjen e procesit te
përgatitjes së reformës në fushën e pensioneve.” Ky dokument pune është strukturuar si vijon.
Kapitulli 2 përshkruan karakteristikat kryesorë të sistemit aktual të pensioneve, ecurinë e
treguesve të tij si edhe problemet me të cilat ky sistem përballet sot. Kapitulli 3 bën një
parashikim afatgjatë të treguesve kryesorë të skemës së sotme të pensioneve. Kapitulli 4 jep dy
opsione se si mund të reformohet skema e pensioneve si edhe projeksione afatgjata të treguesve
kryesorë të këtyre opsioneve. Kapitulli i fundit përmbyll dokumentin.

Download “Dokumenti i politikave te pensioneve” – Downloaded 0 times –

Download “Dokumenti_i_Politikave_te_Pensioneve.pdf” Dokumenti_i_Pensioneve_Alb.pdf – Downloaded 205 times – 3 MB